Takimi i Grupit Mbështetës të IPS TF-2 u mbajt më 25 tetor 2019 për të diskutuar në lidhje me përparimin e projektit deri më tani, si dhe disa pikat kyç të komponentëve kryesorë. Takimi u kryesua nga Znj. Majlinda Dhuka, Zëvendës Sekretare e Përgjithshme, Drejtore e Departamentit për Zhvillim dhe Qeverisje të Mirë (DDGG) me pjesëmarrjen e perfaqësuesve nga Delegacioni i BE, Ambasadat e Suedisë dhe Zvicrës dhe Banka Botërore, e cila po zbaton projektin. Zonja Dhuka në fjalën e saj të hapjes theksoi se pjesa më e vështirë e modelimit të sistemit tashmë ka përfunduar, ndërsa të gjitha përpjekjet duhet të përqendrohen në fazën e zbatimit nga të gjithë aktorët.Ekzistojnë disa sfida që lidhen edhe me përdorshmërinë dhe cilësinë e të dhënave që do të popullojnë sistemin. Është parashikuar që këto sfida do të trajohen në planin afatshkurtër, ndërsa ngritja e kapaciteteve të administratës duhet të adresohet në planin afatmesëm.

Zonja Oriana Arapi Drejtore e Përgjithshme, e Njësisë së Politikave të Zhvillimit dhe Mirëqeverisjes në DDGG & dhe koordinatore e IPS-TF2 bëri një prezantim me detaje në lidhje me statusin e zbatimit të secilit component të IPS, progresin për secilin aktivitet të projektit, hapat dhe sfidat e ardhshme, si dhe qëndrueshmërinë afatgjatë të projektit. Drejtoresha e Përgjithshme e Njësisë së Financimit dhe Kontraktimit (CFCU) në Ministrinë e Financave, Znj Veronika Korkaj, raportoi për statusin e të gjitha prokurimeve dhe kontratave dhe dha shifrat e disbursimeve të fondeve sipas kontratave apo marrëveshjeve të nënshkruara.

Donatorët vlerësuan ritmin e lartë dhe intensitetin e punës së bërë deri më tani, si dhe progresin në zbatimin e sistemeve. Megjithatë ata shprehën shqetësimin e tyre për realizueshmërinë e datës që sistemi të jetë live dhe qëndrueshmërinë e projektit për një afat të mesëm dhe të gjatë. Prandaj, një takim i dedikuar për nevojat e ardhshme të mbështetjes do të organizohet së shpejti nga qeveria. Disa kopje të fletëpalosjeve IPS të prodhuara nga konsulentja për komunikim e IPS, Alma Gërxhani në bashkëpunim me secilin ekip iu shpërndanë pjesëmarrësve. Strategjia e komunikimit IPS është duke u zbatuar sipas planit të veprimit të dakordësuar dhe disa nga produktet janë: broshura të IPS (4 në IPS, AFMIS, IPSIS dhe EAMIS), faqe interneti dygjuhëshe, e cila mund të hapet në linkun www.ips.gov. al dhe është në fazën e plotësimit, si dhe gazetat elektronike mujore që dërgohen rregullisht për përdoruesit e IPS. Një event lançimi i nivelit të lartë të menaxhimit është planifikuar në fund të këtij viti për të njoftuar zyrtarisht përdorimin e sistemit IPS.